Bagëti e Bujqësi
By Naim Frashëri
Bagëti e Bujqësi
By Naim Frashëri
Print
Bagëti e Bujqësi
- O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
- Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
- Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
- Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
- Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
- O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
- Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
- Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.
- Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
- Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.
- Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
- Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
- Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
- E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
- Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
- Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
- Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
- Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
- Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
- Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
- Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
- Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
- Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
- Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.
- Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
- Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.
- Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
- E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
- Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
- Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;
- Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
- Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.
- Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur,
- Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
- Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
- Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
- Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas,
- Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas.
- Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
- Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!
- O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
- Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija!
- Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
- E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
- Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
- Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
- Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
- Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
- Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
- Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija,
- Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
- Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
- Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
- Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.
- Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
- E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!
- Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë,
- Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
- Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
- Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
- Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja,
- Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
- Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
- Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
- Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas,
- Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
- Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
- Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
- Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë,
- E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
- Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë
- Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,
- Qielli sa ësht’ i kthiellt e sa është sbukuruar!
- E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
- Gjithë këto lule ç’janë, që u ngjallë menjëherë?
- Ngaha qielli ke xbritur? Ver’, o e bukura verë!
- Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
- Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’erë e një ngjyrë,
- Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
- Sa është e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë.
- Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
- A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?
- Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur,
- Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
- Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
- S’i ka mbetur gas në zemrë, se s’i la vënt idhërimi.
- Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
- E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzëplasur,
- Se përtimn’ e zi, q’e pruri të gjorën më këtë ditë,
- Nuk’ e dimë vet’ e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
- Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
- Zëmëra s’thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.
- Ah! edh’ atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
- Rrethuar me lul’e me bar, një të gjori udhëtari,
- Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
- Mërguar nga mëm’ e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
- Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh’e qan,
- Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.
- Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
- Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
- Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt’ e tu ke parë
- Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
- O malet’ e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
- Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
- Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
- Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
- Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
- Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
- E ju fusha bukuroshe edhe të majm’e pëllore,
- Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
- Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
- U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
- Zemërn’ e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
- Tek buron nga gjithi juaj uj’i ftoht’ e i kulluar;
- Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë,
- Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?
- Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
- Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me vërtik si plumbi,
- E të vija në gjit tuaj, nj’ ujë të ftohtë të pinja,
- Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
- Syt’ e ballit t’i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
- Gazë, që paçë njëherë, prap’ aty ndër ju ta gjenja.
- Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
- O ditët’ e djalërisë, o moj kohëz’ e të rit tim?
- O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
- As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
- Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
- Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija,
- Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
- Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër’i bagëtisë;
- Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
- Dhëntë ndër shesh’e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.
- Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
- E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
- Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
- Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
- Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
- Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
- Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar,
- Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
- Udhëtar’ e gjahëtorë, q’u bije udha ndër male,
- U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale…
- Kec’i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë
- Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
- Dëgjohet nga mez’i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit,
- E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell’i shterparit.
- Shterpari s’i qaset stanit, po nër pyje bij’e ngrihet,
- Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
- S’i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë,
- Nga ujku e nga kusari s’ka frik’, as nga lis’i gjatë,
- As nga shkëmbënjt’ e nga pylli, as gogolëtë s’e hanë,
- Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë;
- Miqt’ e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
- Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
- Që s’flenë, po rrin’ e ruajn bagëtinë dhe barinë,
- Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
- S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikun’ e udhëtarë,
- Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.
- Vjen nata, e lë në t’errët, del hëna, i përhap dritën,
- Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint’ dielli, i bije ditën.
- Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
- Gjithë ç’lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.
- Mblidhen ret’ e hapësira bënetë e zezë sterrë,
- Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
- Bariu vë gunën në kokë, z’eshkën me herët të parë,
- Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
- Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan,
- Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun’ e zë edh’e përlan,
- Se bisha, që bije dëmnë, errësir’ e mjergull kërkon,
- Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
- Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
- Gumzhitin pyjet’ e veshur e oshëtijnë përrenjtë!
- Esht’ e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
- Dhe bij’e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
- Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë
- E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
- Esht’ e butëz’ edh’e qetë dhe e urtë si manare,
- Nuk’ është si malësorja, andaj i thonë bravare.
- Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
- Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë,
- Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
- I nget bagëtin’ e delen, i mjel plakëz’ e drobitur.
- Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
- Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
- Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
- I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
- Mushkën, që ësht’ e harbuar edhe bashkë me gomarë
- Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
- Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë,
- Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.
- Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
- Na i dha në këtë jetë shok’ e ndihmës Perëndija.
- Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s’rronte dot në jetë,
- Do të vdiste nga uria, do t’ish lakuriq e shkretë;
- Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit,
- Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën’ e përsërit.
- Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
- Nukë pjell mirë si duam, po s’e patmë plehëruar.
- O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
- Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën’ u qoftë.
- Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
- Njeriu duhetë t’i shohë, t’i ketë kujdes, t’i dojë.
- Të mos t’i mundojmë kurrë, po si fëmijë t’i kemi,
- Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.
- Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
- Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
- A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
- Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
- Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
- Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
- Q’është thier, bërë posi një pasqirë,
- Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë,
- Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,
- Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
- A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
- Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?
- Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
- Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
- Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
- E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
- Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
- Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;
- Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,
- Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.
- Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut!
- Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
- Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall’ Ylqinë
- Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
- Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
- Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.
- Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
- Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun’ e vinë,
- Burrat trima me besë dhe shpirtmir’ e punëtorë,
- Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.
- O fushazëtë pëllore, që m’ushqeni Shqipërinë,
- Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.
- Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
- Unju posht’ e më ndih pakë, o motra im’e të gjorit!
- Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë,
- Ball’ e gush’ e faq’e llërë dhe këmb’ e duar dëborë;
- Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
- Duaj edhe fusharakët dhe arat’ e bujqësinë,
- Edhe ti, o mëmëz’ e dheut, q’i fale dheut aq’ uratë,
- Sa pjell mijëra të mira e kurrë s’mbetetë thatë,
- I dhe lul’e bar e gjethe, bim’ e drith’ e pem’ e drurë,
- Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.
- Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt!
- Si lulet’ e si bilbili edhe unë jam djali yt.
- Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
- Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç’vent’i kesh nxjerrë!
- O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
- O bukuroshe, t’u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
- Apo me dorët të bukur e more nga gjir’i Zotit,
- Nga qielli, nga parajsa, nga prehër’ e plotë i motit?
- Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
- Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri’ atje lulëzon!
- Ti zbukuron faqen’ e dheut, ti do e ushqen njerinë,
- Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë!
- Vjen dimëri, t’i than lulet, ti me një frym’ i ngjall prapë,
- Napënë q’u heth përsiprë, ua heq me ver’ e me vapë.
- Bujkun e xgjuan me natë edhe vë përpara qetë,
- Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë;
- Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
- Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë…
- Shërbëtor’i mëmës’ së dheut, q’e ka zëmrënë plot shpresë,
- Del kur hapet trëndafili dhe bari ‘shtë gjithë vesë;
- I falet Zotit t’vërtetë dhe zihet nga pun’ e mbarë,
- Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.
- Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
- Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime,
- Si të punosh dit’ e natë e të bësh ç’duhenë gjithë,
- Ahere kërko nga Zoti të t’apë bukëz’ e drithë.
- Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija,
- Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t’ep Perndija.
- Puna ka duk e uratë, Zot’i math e ka bekuar,
- Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.
- Ver’ o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot
- Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot,
- Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
- Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.
- Zot’i e i vërtetë për të ushqyer njerinë,
- Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë,
- I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
- Bëri dimërin e verën dhe zemrës san’ i dha shpresë.
- Për të arriturë rrushnë ç’ka punuar Perëndija,
- Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
- S’është çudi pse na dëfren ver’ e bukur zemrën tënë;
- Ç’ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë!
- Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
- Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi,
- Se përçmoni Perëndinë, q’i ka falur hardhisë rrush,
- Edhe kërkon dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush;
- Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni,
- Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
- Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë,
- Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë,
- Se në breng’ e në të keqe, në punë e në të pirë,
- Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.
- A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën,
- Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën’ e Kumtërit, Shënjën,
- Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn’ e punojnë,
- Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
- Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë,
- Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?
- Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë
- Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë!
- Kur e sheh kallin’ e plotë të kërrusurë nga barra,
- Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara,
- Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn’ e kashtën mënjanë,
- U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë,
- Kur e përmbush plot shtëpinë me drith’ e me gjë të gjallë,
- Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.
- Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë,
- Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë,
- Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë,
- Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
- Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
- Q’e çpërblen punën e djersën e mundimn’ e njerëzisë.
- Qysh rroit mblet’ e uruar dhe ven’ e vin e lëçijnë,
- Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
- O ç’punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn’ e mirë!
- N’apin dyllëtë, q’ep dritë, dhe mjaltë fjesht’ ëmbëlsirë.
- Dhe punëtorët’ e mirë m’atë mëndyrë punojnë,
- Edhe gjithë njerëzija me mundimt t’atyre shkojnë;
- Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit,
- Kush t’harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,
- Një bën pluar’ e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
- Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë,
- Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë,
- Kjo ësht’ udh’ e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë.
- Edh’ ajo miza përdhese, ç’i duhetë për të ngrënë,
- Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz’ e ka vënë.
- Ka një punë të punonjë si çdo gjë q’është në jetë,
- Kshu e ka thënë me kohë Zot’i math e i vërtetë.
- Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
- Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet,
- Gratë të gjitha punojnë n’avlëmënt e në të tjera,
- Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
- Eshtë nj’udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
- I kanë ngrirë të mjerit vesh’ e goj, e këmb’ e dorë;
- Ngrihet i zot’i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
- E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
- Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
- Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
- Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh’e mbajnë me të mirë,
- I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën’ e të pirë.
- Kështu të huajt’ e miqtë njeriu q’është i uruar
- I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.
- Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
- Sbukurohetë faq’e dheut e merr mijëra fytyrë;
- Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë
- Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.
- Shpest’ e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë,
- Lulet’ e bukura m’erë si ar e si flori ndrijnë,
- Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë,
- Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë – puna mbarë –
- Papo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar,
- Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar;
- Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
- E ndër ment të ti i bije ca t’ëmbla shumë mejtime.
- Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare,
- Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare,
- Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
- Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar;
- Përveshin llërët’ e bardha dhe të majm’e të perndijta,
- Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët’ e kërthijta.
- Dellëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë,
- U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë,
- Dhe mëshqer’ e përkëdhelur vjen në lumë të pij’ ujë,
- A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.
- Bari, bima vatur më bres e bujku shum’ i gëzuar,
- Si bariu kur merr kërthinë edh’e përkëdhel ndër duar.
- Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
- Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.
- Veç një vashëz’ e mjerë qan të motrënë, q’e ka lënë,
- O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë!
- Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë,
- Dhe shqerra manarez’ e saj, e përzieshmez’ e për lumë!
- Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan,
- Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!
- Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt’i saj në qiej shkoi,
- Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi;
- Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit,
- Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit,
- Gjësendi s’humbetë kurrë e gjë s’vdes me të vërtetë,
- Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë;
- As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
- Vdesën e ngjallenë prapë si gjith’ edhe njerëzija.
- Këtu janë gjithë ç’janë e gjithë ç’gjë munt të jetë,
- Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot’i vërtetë!
- Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s’ka anë,
- Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.
- Perëndija njerin’ e parë e mori prej dore vetë,
- E zbriti mi faqet e dheut, q’ish me lulez’ e fletë,
- Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
- E bëri të zotthin’ e dheut edhe kështu e porsiti:
- Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
- Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit’ e natë,
- Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
- Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
- Mos u bëj i lik e i keq, i paudh’ e i pabesë,
- I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
- Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
- Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
- Mos vra, mos merr tek s’ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
- Bes’ e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
- Në bëfsh mirë, liksht s’gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
- Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
- Ji i but’, i urt’, i vyer e mos u bëj kurrë makut,
- I egër e i mërzitur dh’i mahnitur si madut,
- Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
- Në dëgjofsh fjalët’ e mija, do të jesh gjithënjë në gas.
- Nga gjithë ç’pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
- Në u bëfsh si them, i mirë, emr’i math do të të mbesë.
- Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
- Dhe zëmër’ e vetëdijë, të mir’ e të drejtën ta njohç,
- Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
- Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj’ e të të zgjonjë.
- Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
- Po gjësendi në shesh s’nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
- I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell’ e më thellë,
- C’do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
- Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
- Edhe përsipërë soje, e sa do të t’i ket ënda!
- Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
- Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
- Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë,
- Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!
- Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
- Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!
- Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
- I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
- Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
- Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
- Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
- Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
- Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
- Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
- Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
- Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
- E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
- Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
- Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
- Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
- Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
- Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
- Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
- Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
- Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
- Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
- Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
- Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.
- Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
- Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.
Back to top